Kthehu te Blogu

Trauma në Ballkan: Pse trupi e mban mend edhe kur ne duam me harru

7 min lexim•Lokale
Trauma në Ballkan: Pse trupi e mban mend edhe kur ne duam me harru

Trauma në Ballkan: Pse trupi e mban mend edhe kur ne duam me harru

Ne s’e kemi zgjedh historinë që na ka ra. Po e kemi në dorë qysh e bartim ma tutje.

Nëse je rrite në Ballkan, je rrit me me histori që s’i ke jetu vetë, por i ndjen. Me tregimet e gjyshërve për luftë e ikje, me heshtjet e prindërve për gjanat që s’kanë dashtë me i përmend, me atë “mos u ankö, ka ma keq” që e kemi ndëgju të gjithë.

Unë besoj që trauma në Ballkan nuk jeton veç në librat e historisë. Jeton edhe në trupat tanë: në gjoksin që shtrëngohet pa arsye, në gjumin që s’vjen, në atë ndjesi që diçka e keqe mundet me ndodh qdo moment. Në këtë shkrim po du me ta tregu çka thotë shkenca për këtë, pse fjalët vetëm shpesh s’mjaftojnë, dhe çka mundesh me bo prej sot.

Pesha që e bartim

Ballkani ka kalu nëpër shumë luftëra, zhvendosje, varfëri e regjime që e kanë mbjellë frikën. Për ne në Kosovë, lufta e vitit 1999 s’osht histori e largët. Osht kujtim i gjallë në shumë familje.

Pas luftës, në vitin 1999, studiuesit e CDC-së amerikane, bashkë me psikiatrin kosovar Ferid Agani, kanë bo një anketë të madhe me shqiptarë të Kosovës. Gjetën që rreth 17 për qind e të rriturve i kishin simptomat e stresit post-traumatik (PTSD). Në një vazhdim të studimit, një vit ma vonë, kjo shifër kishte shku afër 25 për qind. Pra, trauma s’u zhduk vetë kur heshtën armët.

Edhe një projekt i madh evropian, studimi CONNECT, foli me mbi 3,300 njerëz të prekun prej luftës në pesë vende të Ballkanit, përfshi Kosovën. Vite pas luftës, çrregullimet e ankthit dhe të humorit ishin ende shumë të shpeshta. PTSD-ja dhe depresioni ishin edhe ma të shpeshta.

Këto s’janë veç numra. Ndër ta janë nanat, baballarët, gjyshet tona. Dhe ne jemi fëmijët e tyne.

A trashëgohet trauma?

Po, po jo ashtu si mendohet shpesh.

Së pari, përmes jetës së përditshme. Një prind që ka kalu nëpër frikë të madhe shpesh e ka sistemin nervor gjithmonë “në mbrojtje”. Pa e dashtë, ia mëson këtë fëmijës: me tonin e zanit, me shqetësimin, me mënyrën si reagon kur diçka shkon keq. Fëmija e thith këtë para se me ditë me fol.

Së dyti, ndoshta edhe në nivel biologjik. Shkenca e epigjenetikës studion qysh përvojat ndikojnë në mënyrën si “ndizen” e “fiken” gjenet, pa e ndryshu vetë ADN-në. Në një studim të njohun të vitit 2016, Rachel Yehuda dhe kolegët e saj gjetën ndryshime të tilla në një gjen që lidhet me stresin, te të mbijetuarit e Holokaustit dhe te fëmijët e tyne.

Dua me qenë e sinqertë me ju: ky studim kishte pak pjesëmarrës, dhe vetë autorët s’mundën me tregu saktë si u bart ky ndryshim. Kjo fushë osht ende e re. Po mesazhi kryesor osht i qartë: atë që e kanë jetu prindërit tanë, e ndjejmë edhe ne, në një mënyrë ose tjetrën.

Pse fjalët shpesh s’mjaftojnë

Terapia me fjalë ka vlerë të madhe dhe ka ndihmu shumë njerëz. Po kur trauma osht e ngulitun në trup, me fol për të, të çon veç deri në një pikë.

Mundesh me e kuptu shumë mirë pse reagon ashtu siç reagon, e prapë me ndje që gjoksi të shtrëngohet kur dikush e ngre zanin. Mundesh me ditë që je e sigurt, e prapë s’mundesh me lëshu kontrollin.

Psikiatri Bessel van der Kolk, në librin e tij The Body Keeps the Score, shpjegon që trauma s’osht veç kujtim i asaj që ka ndodh. Osht një gjendje e sistemit nervor që vazhdon me reagu sikur rreziku osht ende këtu. Prandaj shërimi duhet me përfshi edhe trupin, jo veç mendjen.

Qysh punon qasja somatike

Puna somatike, pra puna me trupin, i ndihmon sistemit nervor me mësu ngadalë që tash osht i sigurt. Në praktikë kjo do me thanë:

  • Me e ndje trupin pa u mbyt prej tij. Hap pas hapi, me ritmin tand.

  • Me lëshu energjinë e mbijetesës që ka mbetë e ngecun: dridhjet, tensionin, frymën e ndalun.

  • Me e rregullu sistemin nervor, që të mësojë sërish qysh me kalu prej alarmit te qetësia.

  • Me e rikthy ndjesinë e sigurisë dhe të gjallërisë në trup.

A ka dëshmi shkencore? Ka disa, edhe pse ende jo aq shumë sa për terapitë klasike. Në një studim të vitit 2017, Danny Brom dhe kolegët i ndanë rastësisht 63 të rritur me PTSD në dy grupe. Ata që morën 15 seanca të Somatic Experiencing, metodës së Peter Levine, patën ulje të ndjeshme të simptomave të PTSD-së dhe të depresionit krahasuar me grupin që priste. Një përmbledhje e vitit 2021 i quan rezultatet premtuese, po thekson që duhen ende studime ma të mëdha.

Kultura jonë dhe “forca”

Te ne na kanë mësu me qenë të fortë. Me duru. Mos me qa para të tjerëve. Me kërku ndihmë ka qenë turp.

E kuptoj pse. Kjo forcë i ka mbajtë gjallë brezat para nesh në kohë shumë të vështira. Po sot duhet me pyet: a na shërben ende?

Forca e vërtetë s’osht me i shtyp ndjenjat. Osht me pas guximin me i ndje, me i pranu e me i lëshu. Shërimi s’të bon ma të dobët. Të bon ma të lirë.

Një ushtrim i vogël për sot: Kthimi në të tashmen

Ky ushtrim i thjeshtë i ndihmon trupit me e kuptu që je këtu, tash, jo në të kaluarën. Zgjat dy deri në tre minuta.

  1. Ulu rehat dhe vendosi këmbët në tokë. Ndjeje peshën e trupit në karrige.

  2. Kqyr ngadalë rreth vetes. Lëre kokën me u kthy natyrshëm, majtas e djathtas. Ndalu te tri gjana që t’pëlqejnë: një ngjyrë, një dritë, një objekt. Thuaji emrat me vete.

  3. Vendose dorën mbi zemër ose mbi bark. Merr frymë normalisht dhe lëre frymënxjerrjen me qenë pak ma e gjatë.

  4. Thuaj me vete, ngadalë: “Tash jam këtu. Tash jam e sigurt.” dhe perqafo veteveten.

  5. Vëre çka ndryshon në trup, edhe nëse osht diçka shumë e vogël: një frymë ma e thellë, shpatulla që ulen pak.

Nëse ushtrimi të sjell emocione, ndalu, hapi sytë e kqyr përreth. S’ke pse me shku ma thellë vetëm. Këtë punë ma mirë e bon me shoqërim.

Rruga përpara

Shërimi i traumës kolektive fillon me njerëz që zgjedhin me e bo punën e tyne. Sa herë që dikush prej nesh e shëron një pjesë të vetes, e ndalon një model që përndryshe do të kalonte te fëmijët e tij.

Unë e besoj këtë thellë. Ne s’e kemi zgjedh historinë që na ka ra. Po e kemi në dorë çka u lëmë atyne që vijnë pas nesh.

Nëse po rezonon në këtë shkrim, nëse e ndjen që po bart diçka që s’osht krejt e jotja, s’je vetëm. Shumë njerëz vijnë te unë pikërisht me këtë peshë.

Në seancat e mia në Prishtinë, Tiranë dhe online punojmë ngadalë, me butësi, me trupin. Nëse po të thërret kjo, rezervo një seancë ose më shkruaj. Fillojmë bashkë, hap pas hapi.

Lexo edhe:

Ky shkrim osht për informim dhe frymëzim. S’e zëvendëson ndihmën mjekësore ose psikologjike. Nëse po kalon simptoma të forta të traumës, të lutem kërko edhe ndihmë profesionale.

Burime

Gati të Përjetosh Shërimin Somatik?

Rezervo seancën tënde sot dhe fillo udhëtimin tënd drejt shërimit dhe transformimit.

Rezervo Seancë